“Bombardim” pa “viktima” në “San Siro”, barazim i drejtë në derbi

Milani dhe Interi u detyruan në fund të ndaheshin në paqe, ndonëse gjatë 90 minutave pati vetëm luftë. Një derbi i fortë i Lombardisë në “San Siro” që përfundoi 1-1, dhe ku ishte Interi që bëri gjithçka, në kuptimin që shënoi për 1-0 me Çalhanoglunë, barazoi në portën e vet me autogolin e De Vrajit, dhe humbi 11-metërshin më anë të Lautaro Martinezit. Pas një pjese të parë të ndarë në barazim me lojë dhe rastet, pas pushimit zikaltërit bënë më shumë për një kohë të gjatë dhe patën disa mundësi për të shënuar. Nuk ia dolën, dhe thuajse ranë “viktimë” e aksiomës së futbollit, që “nëse nuk e bën ti, e pëson”. Minutat e fundit ishin më të mira për Milanin e trajnerit Pioli, që edhe e mbajti pak më shumë topin, edhe arriti të gjuante më shumë drejt portës, pavarësisht se barazimi 1-1 u duk i drejtë. Milani luajti në fushën e tij, pasi ishte në shtëpi dhe shumica e 57 000 tifozëve ishin kuqezinj. Gjithsesi, një javë e mirë për të pasi Napoli barazoi me Veronën dhe renditja nuk ndryshoi: Milani e Napoli kryesojnë me nga 32 pikë, Interi i ndjek me 25, ndërsa janë afruar Atalanta me 22 pikë e Lacio me 21.

Sfidanti.al