“Bomba plasi”, Totenhemi shkarkoi trajnerin Poçetino!

Premier Liga nuk njihet si kampionat i “gijotinës” së trajnerëve. Sër Aleks Ferguson apo Arsen Venger janë dy shembuj që shkëlqejnë, por duket se edhe në Angli po fryn “era e kontinentit”. Totenhemi shkarkoi trajnerin Maurisio Poçetino vetëm 5 muaj pasi arriti në finalen e Championsit, për herë të parë në historinë e klubit. “Ishim shumë ngurrues për të marrë një vendim të tillë, – tha presidenti Daniel Levi, – nuk ishte një vendim i lehtë, dhe as i marrë në nxitim e sipër. Për fat të keq, rezultatet në kampionat, në fund të sezonit të kaluar, dhe në fillim të këtij sezoni kanë qenë jashtëzakonisht zhgënjyese”.

Poçetino mori drejtimin e Totenhemit në 2014, dhe në 4 sezonet e parë doli tri herë në vend të tretë. Në 2018-2019, Spërsat u kualifikuan sërish për në Champions, dhe arritën finalen e Ligës së Kampionëve, pasi eleminuan Mançester Sitin dhe Ajaksin. Në Madrid, Totenhemi u mund 0-2 nga Liverpuli. “Poçetino dhe stafi i tij do të jenë gjithnjë pjesë e historisë së këtij klubi, – vazhdoi Levi, – i jemi shumë mirënjohës për punën e bërë dhe duam ta falenderojmë pa masë. Ekipi, gjithsesi, kishte nevojë për një shkundje që të bëjmë kthesë”.

Shija e hidhur mbetet pavarësisht nga fjalët e bukura. Një trajner që realizoi rekorde në historinë e “gjelave” nuk u quajt i denjë për të vazhduar, dhe një president apo një bord milionerësh, që nuk e njohin futbollin, morën një vendim që vështirë se mund t’i bëjë keq argjentinasit, por besohet do ta dëmtojë shumë Totenhemin.

Sfidanti.al