Mund të ndalet në momentin kulmor. E gjithë Shqipëria pret që Alban Beqiri të dalë nesër në ring për t’u kualifikuar në finalen e Kampionatit Botëror të boksit, e për të synuar medaljen e artë, por lajmet nga Beogradi nuk janë nga më të mirat. Boksieri shqiptar është i dëmtuar dhe rrezikon të mos paraqitet në ndeshjen më të rëndësishme të jetës së tij, në gjysmëfinale. Trajneri i tij, Renato Kurti, informoi televizionin se Beqiri ka dëmtime të shumta në disa pjesë të trupit, për shkak të luftërave tepër të ashpra që është detyruar të përballojë në këtë Botëror. Stafi teknik është pesimist lidhur me mundësinë për t’u riaftësuar në kohë, pavarësisht se boksieri ka qenë vazhdimisht nën kujdesin e fizioterapistëve.
Ndeshjet kanë qenë tepër të vështira, kundër rivalëve ndër më të fortët në botë dhe kanë lënë pasoja. Beqiri ka treguar në Beograd se është boksieri më i mirë i Shqipërisë sot për sot dhe një nga katër më të mirët e botës në peshën e tij deri 71 kg. ai ka siguruar medaljen e bronzit, pas fitores 4-1 ndaj një kundërshtari të fortë, si Zejad Ishaish të Jordanisë, duke pasur epërsi nga fillimi deri në fund. Më herët, 25-vjeçari i klubit shumësportësh Tirana, triumfoi radhazi ndaj Bonifejs Mainës së Kenias në raundin e parë, Saimonas Banisit të Lituanisë në të dytin dhe Eduardo Bekfordit në raundin e tretë. Nëse ia del të jetë gati, Beqiri do të ketë provën e fortë ndaj boksierit të Rusisë, Vadim Musajev.
Sfidanti.al