Boatengu dhe Brajtneri qetësojnë ndërgjegjen me bamirësi!

Të kuptohemi, ata janë thjesht “të birtë e sistemit”. Një ish-yll i madh i Bajernit, dhe një yll i tanishëm i bavarezëve u përfshinë në një aktivitet bamirësie në Mynih, duke i dhënë për të ngrënë atyre në nevojë. Boatengu, 31-vjeçar dhe Brajtneri 68 vjeç, u fotografuan me pjatat gjysmë bosh e gjysmë plot nëpër duar, ndërsa ishin me pamje të gëzuar. “Atmosfera është pozitive, – tha qendërmbrojtësi, – njerëzit janë shumë miqësorë, të lumtur për ushqimin. Ka mjaftueshëm. Është shumë e rëndësishme ta bësh këtë, dhe jo vetëm për Krishtlindje, pasi ka nga ata që nuk kanë ushqim sa duhet, prandaj është e rëndësishme të jesh i përfshirë”.

Boatengu dhe Brajtneri, por sidomos i pari, natyrisht që mund të kenë një prekje ndërgjegjjeje për gjendjen e një pjese të njerëzve, që jetojnë pranë tyre. Ndoshta, edhe mund ta pyesin veten se përse ndodh kjo gjë, por ndoshta nuk do të lodhen aq shumë sa për ta kuptuar. Padyshim, nuk do ta kishin problem të hiqnin disa para nga vetja për t’ua dhënë atyre në nevojë. Nëse ata janë besimtarë, mund të kenë murmuritur edhe ndonjë lutje, për ta pasur si çaj qetësues para gjumit. Gjithsesi, Boatengu e Brajtnerit, dhe të gjithë bamirësve si ata, duhet t’u thuhet e vërteta, pra që dinjiteti i njerëzve në nevojë respektohet kur rrogat e tyre prej shumë milionë eurosh taksohen “shëndetshëm”, në mënyrë që të mos marrin lëmoshë, por pagesën që u takon dhe në mënyrën e duhur.

Sfidanti.al