“Prekja e djallit”, Gaçinoviç tregon dëmtimin nga portieri Nybel!

Mbiemri i tij u bë objekt i një loje fjalësh nga tabloidi i përditshëm “Bild”. Gazeta bulevardeske gjermane u mor me portierin e Shalkes, Aleksandër Nybel (Nuebel), mbiemri i të cilit, nëse i hiqet shkronja N, përkthehet “djalli”. Ky portier shkaktoi një dëmtim të frikshëm ndaj lojtarit të Frankfurtit, Mijat Gaçinoviç, gjatë duelit të fundjavës së kaluar në Bundesligë, duke e goditur me taka në kraharor.

Pa një e pa dy, Nybeli u përjashtua me karton të kuq, ndërsa Gaçinoviç u mjekua fillimisht në fushë, duke i ndalur hemoragjinë e gjakut, e duke e dërguar më pas në spital për një vizitë më të hollësishme. Vetë portieri i kërkoi falje me telefon futbollistit serb, pasi nuk qe në gjendje ta takonte në stadium. Vetë Gaçinoviç postoi foton ku duket dëmtimi (siç e shikoni), ndërsa sqaroi se ishte i lumtur që Nybeli i kishte kërkuar falje. Pritet të shihet sesa do të dënohet portieri, dhe një ish-trajner e një yll i Gjermanisë si Feliks Magat, thotë se dënimi duhet të jetë 6 javë pezullim, në mënyrë që të zerë mend dhe të mos bëjë në të ardhmen veprime të tilla.

Sfidanti.al