Shkëlqeu si zakonisht, madje edhe më shumë, por as kjo nuk mjaftoi. Janis Antetokumbo ishte lojtari më i mirë i mbrëmjes në NBA, duke shënuar 48 pikë për Miluokin, veçse duke mos e shmangur dot humbjen ndaj Dallasit. Nuk bëri punë fakti se ndeshja u luajt në shtëpi, as që miqtë ishin pa yllin kryesor, Luka Donçiçin e dëmtuar.
Basketbolli është lojë kolektive, dhe një lojtar i vetëm sado i shkëlqyer, nuk e mposht dot një skuadër. Nëse Antetokumbo luajti në mënyrë të madhërishme, duke shënuar 48 pikë e kapur 14 topa në tabela, Dallasi pati shumë basketbollistë që luftuan fort. Më i miri, letonezi Kristaps Porzingis me 26 pikë, 12 topa në tabela, 4 asistë e dy bllokime gjuajtjesh. Krah tij edhe Seth Kërri me 26 pikë, Finej-Smith me 15, Branson me 13 pikëe 11 asistë, Rajt po me 13 pikë dhe Kleber me 10 pikë e 7 topa në tabela.
Për Miluokin vetëm Korver, Iljasova dhe Hill u përpoqën të ndihmonin kapitenin. Në fund, miqtë ia dolën 120-116, duke mbajtur vendin e tretë në Konferencën Perëndimore. Për vendasit mori fund seria prej 18 fitoresh radhazi, e dyta më e gjatë në historinë e klubit pas asaj të arritur në 1971 kur u shpallën kampionë. Gjithsesi, sezoni duket i jashtëzakonshëm dhe Antetokumbo pritet t’i udhëheqë shokët drejt objektivit krysor, titullit në NBA.
Sfidanti.al