Berisha jashtë fushës për të paktën një muaj

Lajme jo të mira për Lecce dhe trajnerin Eusebio Di Francesco. Mesfushori shqiptar, Medon Berisha, ka pësuar një dëmtim muskulor të shkallës së dytë në muskujt e këmbës së djathtë dhe do të qëndrojë jashtë fushës për të paktën 4-6 javë, sipas rezultateve të rezonancës magnetike. Dëmtimi ndodhi gjatë ndeshjes së fundit, ku Berisha u largua nga fusha pas vetëm 10 minutash, duke kërkuar ndihmën e mjekëve.

Berisha, 22 vjeç, ishte një nga lojtarët më në formë të Lecces këtë sezon. Ai ka shënuar dy gola të rëndësishëm në kampionat, një në Udine dhe një tjetër në Firenze, që i siguroi Lecces tri pikë të çmuara, si dhe ka dhënë tri asistime. Humbja e tij vjen në një moment të vështirë për klubin salentin, që përballet edhe me mungesën e Lassana Coulibaly, i angazhuar në Kupën e Afrikës (21 dhjetor – 18 janar), si dhe të Lameck Banda dhe Kialonda Gaspar.

Në mungesë të Berishës, Di Francesco ka përdorur Mohamed Kaba në ndeshjen kundër Pisës, i cili tregoi potencial, megjithëse me karakteristika të ndryshme nga mesfushori shqiptar. Trajneri ka gjithashtu në dispozicion Maleh, Alex Sala dhe Thorir Helgason për të mbuluar boshllëqet në mesfushë, ku Ylber Ramadani mbetet pika e vetme e sigurt.

Berisha pritet të humbasë të paktën katër ndeshjet e ardhshme: kundër Comos, Juventusit, Romës dhe Parmës, duke e detyruar Leccen të gjejë zgjidhje të shpejta për të mbajtur mesfushën konkurruese.

sfidanti.al