New York Knicks janë shpallur kampionë të NBA Cup, duke mposhtur San Antonio Spurs me rezultatin 124–113 në finalen e zhvilluar në Las Vegas. Ky sukses historik shënon trofeun e parë për Knicks pas 52 vitesh pritjeje, që nga fitimi i titullit NBA në vitin 1973, dhe një moment shumë i rëndësishëm për një nga skuadrat më tradicionale të ligës. Finalja nisi më mirë për Spurs, të cilët kryesuan deri në minutat e fundit të çerekut të tretë dhe arritën avantazhin maksimal 11 pikë (81–92). Megjithatë, nga ai moment e tutje, Knicks realizuan një seri vendimtare 43–21, duke dominuar plotësisht fundin e ndeshjes dhe duke treguar përvojë dhe qetësi në momentet kyçe.
Jalen Brunson u shpall MVP i turneut, duke konfirmuar rolin e tij udhëheqës. Në finale ai kontribuoi me 25 pikë dhe 8 asistime, ndërsa në ndeshjet e mëparshme kishte realizuar 40 pikë në gjysmëfinale dhe 35 në çerekfinale. Pas ndeshjes, Brunson vlerësoi maksimalisht kontributin e shokëve të skuadrës, duke theksuar sakrificën dhe shpirtin luftarak të tyre. OG Anunoby ishte shënuesi më i mirë për Knicks me 28 pikë dhe 9 kërcime, ndërsa Mitchell Robinson ishte vendimtar nën kosh, duke kapur 15 topa, 10 prej tyre ofensivë. Knicks dominuan dukshëm në kërcime, veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes.
Për Spurs, humbja ishte e hidhur, sidomos pas eliminimit të Lakers dhe Thunder në fazat e mëparshme. Victor Wembanyama realizoi 18 pikë, por nuk arriti ta ndryshonte fatin e finales. Përveç lavdisë sportive, çdo lojtar i Knicks do të përfitojë 530 mijë dollarë si shpërblim për triumfin në NBA Cup.
sfidanti.al

