Nuk mjafton vetëm klauzola prej 100 milionë eurosh. Për Andrea Belotin janë marrë të gjitha masat që edhe klubi i Torinos të mbetet i kënaqur, edhe tifozët të mos zemërohen shumë. Të gjithë e dinë se sulmuesi kryesor i Italisë nuk do të qendrojë gjatë në stadiumin “Olimpik” të Torinos, por të gjithë presin që të mos ketë skandal.
Presidenti i “granatave”, Urbano Kairo, thekson se Beloti do të lejohet të largohet vetëm nëse shkon në një klub të huaj, në Spanjë apo Angli, por në asnjë mënyrë në Serinë A. “Nuk do të lejojmë që rivalët tanë të forcohen dhe ne të dobësohemi, nuk mund të shkojë tek Juventusi, Milani apo Interi”, – thekson Kairo. Më pas, presidenti shtoi duke thënë se klauzola prej 100 milionë eurosh është çmimi i duhur për kartonin e futbollistit më të mirë të ekipit të tij.
Beloti ka kontratë me Torinon deri në 2021, dhe ka shpërthyer këtë sezon duke u bërë një nga shënuesit më të mirë të Serisë A si dhe sulmuesi më i mirë i kombëtares së Italisë, katër herë kampione e botës.
Sfidanti.al