Ky mit nisi të thurej në vitin 2009 kur Reali i Madridit theu dy herë rekordin botëror të transferimeve për të blerë Kakanë dhe Kristiano Ronaldon. Më herët, ishte thënë për Dejvid Bekamin, ndërsa tani po flitet për Pol Pogbanë, dhe deri diku për Zllatan Ibrahimoviçin. A mundet që një futbollist të shlyejë shpenzimin e bërë nga klubi për të, me shitjen e fanelave? “Jo, kjo është e pamundur”, thotë Majk Farnan, drejtuesi i lartë i agjencisësë marketingut sportiv, “Redstrajk”. Farnan bën një llogari.
“Mançester Junajtid shiti vjet gati 3 milionë fanela, – spjegon ai, – nëse e shumëzojmë me 40 stërlina që kushton një copë, i bie të ketë marrë 120 milionë stërlina. Edhe një lojtar i rëndësishëm si Pogba, nuk mund ta shtojë këtë sasi me më shumë se 15 për qind”. Farnan bën shumëzimin dhe mbledhjen dhe i del 450 000 fanela të Pogbasë, baraz me 18 milionë stërlina. Do të duhet që francezi të luajë gjatë tek Junajtid, të shesë vazhdimisht fanela dhe të arrijë pranë shifrës për të cilën është blerë, ndërsa shpenzim për klubin është edhe rroga e tij. Pra, e pamundur shlyerja e plotë.
Efekti më i madh i blerjeve të tilla është se ndihmon klubin të hyjë në tregje të reja (Reali në Amerikën e Jugut me Kakanë), por për lojtarë që blihen mbi 50 milionë euro është e pamundur që shitja e fanelave të jetë kaq e madhe. Kjo, madje vlen edhe për Dejvid Bekamin, futbollistin më mediatik të botës, ndërsa megjithatë ekziston miti se Ronaldo apo Mesi janë “makineri parash” për Realin e Barcelonën, vetëm nga marketingu.
B. Kuka