Milani dhe Roma po përballen me probleme në repartin e sulmit. Dy ekipet vuajnë mungesën e një goleadori. Të dyja skuadrat kanë hasur vështirësi në finalizim dhe drejtuesit përkatës janë angazhuar në treg për të identifikuar profile të përshtatshme. Në këtë kontekst, rrugët e dy klubeve mund të kryqëzohen sërish, këtë herë jo për një shkëmbim lojtarësh, siç ka ndodhur në vitet e fundit, por për një duel në merkato.
Emri që i ka vënë Romën dhe Milanin në garë është ai i Zirkzee, sulmuesit holandez i transferuar nga Bolonja te Manchester United në verën e vitit 2024 për një shumë prej 42.5 milionë eurosh. Lojtari është prej kohësh në radarin e Romës, ndërsa në ditët e fundit edhe Milani ka ringjallur interesin, duke rikthyer një pistë që klubi kuqezi e kishte shqyrtuar më shumë se një vit më parë. Zirkzee zgjodhi atëherë të kalonte në Premier Ligë, por situata e tij aktuale te Manchester United ka ndryshuar dukshëm.
Sipas raportimeve të “Corriere della Sera”, dy klubet italiane kanë nisur tashmë hapat e parë për të testuar mundësinë e një akordi. Drejtorët sportivë, Masara për Romën dhe Igli Tare për Milanin, kanë zhvilluar kontaktet fillestare me drejtuesit anglezë.
Junajtid duket i hapur për një largim të lojtarit në formë huazimi, pa detyrim blerjeje, duke i lënë klubeve italiane mundësinë që të vlerësojnë me qetësi situatën dhe të marrin një vendim në fund të sezonit.
sfidanti.al

