Basti i fituar i Zidanit, Reali në finalen e tretë radhazi

Një skuadër që arrin një finale Championsi, padyshim është shumë e mirë. Nëse bëhen dy radhazi, atëherë ekipi është i veçantë, ndërsa nëse suksesi shkon në tre njërën pas tjetrës, atëherë po flasim për një skuadër të madhe. E tillë është padyshim kjo e Realit të Madridit drejtuar nga Zinedin Zidan.

Trajneri francez përjetoi një dramë të vërtetë ndaj Bajernit, por ia doli duke u kualifikuar me një gol më shumë të shënuar se gjermanët. Kjo, pavarësisht se bavarezët bënë më shumë sesa madrilenët në 180 minuta, luajtën më mirë, patën më shumë raste, mbajtën më shumë topin, dhe gjuajtën më shumë goditje nga këndi.

Bajerni bëri edhe diçka tjetër më shumë se Reali, pikërisht gabime, duke i dhuruar të paktën dy nga katër golat, një në Mynih e një sonte në Madrid. Nëse gabon kaq shumë, natyrshëm që nuk mund të fitosh dot, aq më shumë kur vendimet kryesore të gjyqtarit i ke kundër.

Edhe vetë mediat spanjolle pohuan se prekja e topit me dorë në zonë nga Marselo ishte për penallti. Po ashtu, Levandovski kërkoi një tjetër 11-metërsh, por gjyqtari Çakir nuk pranoi të akordonte asnjërën.

Bajerni u tregua përsëri skuadër e denjë e trajnerit Jup Hajnkes. Mëkat që gjigandi veteran largohet kështu nga Championsi, ndërsa mbyll karrierën, pasi ekipi i tij meritonte finalen e Kievit. Pavarësisht nga diferenca në klas me kundërshtarin, sërish ai i dha ekipit karakterin e fortë dhe variacionet taktike, duke iu përshtatur lojtarëve. Ky Bajern u duk më i fortë sesa ai i Ançelotit, madje edhe se ai i Guardiolës.

Gjithsesi, në finale do të jetë Zidan, trajneri që vuri bast dhe fitoi. Ai la pushim disa herë Kristiano Ronaldon, por edhe ndonjë yll tjetër, përballoi një sezon të vështirë, duke sakrifikuar kampionatin e duke u turpëruar në finalene Kupës së Mbretit, por nëse fiton Championsin, do t’i ngrihet një monument në Madrid.

Sfidanti.al