Është sërish një fat kur skuadra nuk ndodhet në maksimum, por kur Lionel Mesi shkëlqen si në ditët e tij më të mira. E tillë është “piktura” tek Barcelona, dhe vetëm klasi sipëror i argjentinasit po e lejon skuadrën katalanase të jetë pretendente për titull, pse jo edhe favorite, pas javëve të fundit. Në fitoren 5-0 ndaj Seltës, Mesi shënoi dy gola, një shtyllë e ndaloi të shënonte të tretin, ndërsa shërbeu dy asiste. Me 23 gola në 23 ndeshje të La Ligës dhe me 38 gola në 37 ndeshje këtë sezon, Leo është pranë kulmeve të tij, ashtu si në 2010-2011, 2011-2012, 2012-2013 apo 2014-2015.
Drejtuesit e klubit i kanë bërë llogaritë e tyre, dhe kanë parë se nuk u dalin pa Mesin në “ekuacion”. Dy prej zyrtarëve janë shkarkuar menjëherë sapo hapën gojën të kritikonin numrin 10, shenjë e qartë se presidenti Bartomeu nuk dëshiron ta zemërojë supertalentin, dhe ta shtyjë drejt një ikjeje pa kthim. Pritet që shpejt të bëhet edhe oferta nga “Kamp Nou”, një ofertë që sipas mediave do të jetë e niveleve “kineze”. Bëhet fjalë për 35 milionë euro në sezon, një rrogë që mund ta japë sot vetëm Premier Liga e Kinës.
A mund të zemërohen njerëzit që dikush që është thjesht një futbollist, fiton kaq shumë para? Nuk ia vlen. Në fund të fundit, kështu siç është ndërtuar sistemi i shpërblimit të vlerave, Mesit i takon të jetë mbi të tjerët. Është tjetër gjë nëse futbolli botëror do të ngrihej mbi bazat që sugjeron një libër i shkruar nga Daniel Pink, me titull “E vërteta e habitshme mbi atë që na motivon në jetë”. Në një rast të tillë, do të ishte thjesht respekti që do të bënte dallimin, jo llogaria bankare.
Sfidanti.al