Barcelona vendos rekordin negativ në Europë

Shpenzime marramendëse, vlera 3 miliardë euro nga vetëm 32 klube. Kjo është shifra që kanë paguar klubet e fazës pjesëmarrëse finale të UEFA Champions League në merkaton e verës. Pjesën e “Luanit” e mbajnë pasanikët e kontinentit me paratë e naftës dhe gazit që buron në gadishullin arabik.

Dy klubet që kanë shpenzuar më shumë janë Paris Saint Germain dhe Manchester City 241,1 milionë euro për futbollistët e afruar në radhët e tyre. Arsenal, Manchester United dhe Bayern Munich plotësojnë tabelën e 5 klubeve të para në këtë klasifikim që gjithsesi nuk është për t’u krenuar. Befasia e madhe? Barcelona. Katalanët renditen në vendin e 32 nga 32 skuadrat në total pasi kriza që ka përfshirë klubin është e thellë dhe kjo reflektohet në shifra. Klubi blaugrana ka shpenzuar vetëm 3.2 milionë. E pabesueshme por e vërtetë, gjigandët spanjollë ndoshta nuk kanë pasur nevojë për lojtarë të rëndësishëm por asnjëherë më parë nuk e kanë mbyllur një merkato verore me këtë limit shpenzimesh.