Në një ndeshje të vetme, Barcelona shkëlqeu dhe ngriti pikëpyetje të mëdha. Fitoi Kupën e Mbretit pasi shkatërroi 5-0 Seviljen në “Uanda Metropolitano” të Madridit, i dha një lamtumirë në kupë Andres Iniestës (që u largua me gol), pati shënues Lionel Mesin (që barazoi Zarrën për rrjetat në finale), si dhe Luis Suarez shkëlqeu më në fund në një ndeshje të tillë duke shënuar dy gola.
Gjithçka e shkëlqyer, për kupën e 30-të të Mbretit, një rekord i Spanjës, por menjëherë një pikëpyetje po aq e madhe sa rekordi: Si mundi kjo Barcelonë të eleminohej aq turpshëm në çerekfinalet e Championsit përballë Romës? Një pyetje që nuk do të marrë kurrë përgjigje, ndërsa skuadra e Ernesto Valverdes do të synojë të fitojë sa më shpejt titullin dhe ta mbyllë kampionatin pa humbje, për të vendosur një tjetër rekord.
Futbolli mund të jetë edhe i tillë, kur nga “zija” të kalohet në festë. Barcelona ishte e një niveli qiellor, ndërsa Sevilja megjithëse u përpoq, nuk iu afrua dot aspak. Iniesta fitoi trofeun e tij të fundit si “blaugrana”, u zëvendësua dhe doli nga fusha me lot në sy, duke ia lënë stafetën Mesit, që do të vazhdojë të “përpijë” kupa me ritmin e një “përbindëshi”.
Sfidanti.al