Barcelona nis ‘spastrimet’; shumë futbollistë do të largohen

Barcelona pritet të marrë vendimet e para drastike në ditët e ardhshme pas eliminimit të turpshëm në Ligën e Kampioneve. Një prej hapat e parë që do të ndërmerren pavarësisht se kur do të mbahen zgjedhjet në klub, është përpilimi i listës së futbollistëve që do të largohen nga skuadra dhe merkatoja nuk mund të presë. Janë 7 emra që janë piketuar nga drejtuesit e Barcelonës dhe një prej tyre ishte Arthur Melo i cili e ka mbyllur cështjen e kalimit të tij te Juventusi pas një shkëmbimi me Miralem Pjanic.

Përsa u përket 6 kandidatëve të tjerë duket se zgjidhja është më e komplikuar. Ivan Rakitic do të jetë i larguari i radhës me mundësinë për t’u kthyer te Sevilla, por pa e përjashtuar Premier League apo Serie A. Do të kërkohet një zgjidhje e shpejte, pasi me t’u mbyllur kjo cështje, do të hapen të tjerat.

Po kështu do të largohet edhe Martin Braithëaite pas një periudhe të shkurtër kohe te Barcelona ku bëri paraqitje të pranueshme. Arturo Vidal ka admirues si në Premier League dhe Serie A dhe konsiderohet si një kandidaturë ideale për t’u përfshirë në tratativa merkatoje. Ashtu sikurse edhe Junior Firpo i cili mund të përfshihet në bisedimet me Interin për blerjen e Lautaro Martinez

Më i komplikuar është rasti i Samuel Umtiti, një futbollist që ka pasur problemet e tij me gjurin e majtë. Te Barcelona po mendohet për gjetjen e një akordi me lojtarin për zgjidhjen e kontratës në mënyrë konsensuale nëse nuk do të marrin ndonjë ofertë për të, kështu që Barcelona do të sigurojë kursime nga paga e tij që është 12 milionë Euro bruto në sezon. Tjetër rast problematic është ai i Ousmane Dembele. Dëmtimet dhe sjellja problematike rezultuan thelbësore në marrjen e vendimit nga ana e drejtuesve të klubit për ta larguar atë gjithnjë nëse vjen një ofertë e konsiderueshme për të. Nga një shitje e mundshme e francezit, Barcelona do të mund të përballojë blerjen e qendërmbrojtësit Eric Garcia të Manchester City që vlerësojhet 24 milionë Euro.

Në listën e futbollistëve që mund të largohen nga Barcelona janë Nelson Semedo, Luiz Suaresz, neto, Sergi Roberto dhe Antoine Griezmann. Po kështu mund të sakrifikohen edhe Gerard Pique, Sergio Busquets apo Jordi Alba. Ndërkaq, 3 futbollistë të akademisë do të jenë pjesë e skuadrës së parë sezonin e ardhshëm; Ansu Fati, Riqui Puig dhe Roland Araujo, ndërkohë që do të vijnë edhe Pjanic, Trincao dhe Pedri. Në të gjithë këtë histori, vetëm 4 futbollistë konsiderohen të patransferueshëm; Ter Stegen, Lenglet, De Jong dhe Messi.

Sfidanti.al