Lionel Mesi vazhdoi me formën e tij spektakolare të sezonit, me një dygolësh vendimtar në Valencia. Barcelona, falë lojtarit më të mirë të botës triumfoi 3-2 dhe u ngjit përkohësisht në krye të renditjes së ligës spanjolle të futbollit. Nuk ishte aspak e lehtë ndaj një kundërshtari që vërtet ka pësuar shumë humbje, por që është i fortë në fushën e vet, sidomos ndaj skuadrave të mëdha. Mesi kaloi Barcelonën në epërsi në 22’, me një gol të dyshimtë për pozicion jashtë loje të Suarezit, ndërsa katalanasit vuajtën dëmtimin e radhës, atë të Iniestës që doli nga loja që në pjesën e parë.
Pa lojtarë të rëndësishëm në mbrojtje si Pike apo Zhordi Alba, Barça vuajti pas pushimit dhe Valencia e trajnerit Çezare Prandeli papritur e pa veten në epërsi në minutën e 56-të. Shënuan ish-sulmuesi katalans, Munir El Hadadi dhe Moreno, por asgjë nuk kishte përfunduar. “Këpuca e Artë” e Europës, Suarez barazoi në 62’ dhe u duk se gjithçka do të përfundonte barazim, por në minutën e dytë dhe të fundit shtesë Barça fitoi penallti për pengim të Suarezit.
Mesi nuk gaboi dhe ekipi i tij tani ka 19 pikë pas 9 javësh kampionat. Vetë argjentinasi është golshënuesi më i mirë i ligës me 8 gola, edhe pse disa ndeshje nuk luajti për shkak dëmtimi.
B. Kuka