Barcelona fiton El Klasikon me polemika, por tani është pranë titullit!

Dymbëdhjetë pikë nuk janë diçka që mund të rikuperohet, të paktën jo këtij ekipi. Në Spanjë dihet se titullin e fiton Reali se Barcelona, nëse rivali është dobët dhe në këtë sezon të La Ligës, më dobët është Madridi. Edhe pse ishte në avantazh në “Kamp Nou”, edhe pse shënoi një gol pranë fundit që iu anulua, nuk mori dot as pikën. Barcelona e Ksavi Hernandezit diti sërish të vuajë, por edhe të dominojë, ndërsa pati edhe fatin me vete. VAR-i e ndihmoi për të anuluar golin madrilen, dhe në sekondat e fundit Frank Kesie shënoi rrjetën e fitores. Mediat madrilene, që u treguan objektive, shkruan se “Barça po luan si një ekip kampion”. Ronald Arauho shkaktoi autogol në 9’, Sergi Roberto barazoi në fund të pjesës së parë dhe Kesie realizoi në 90’+2. Barcelona bëri më shumë, me 55 për qind mbajtje topi, 12-7 gjuajtjet, 7-3 gjuajtjet në portë dhe 8-1 goditjet nga këndi. Katalansit kryesojnë me 68 pikë ndaj 56 të Realit, kur duhen edhe 12 javë deri në fund.

Sfidanti.al