Natyrisht që dyshimet ishin të mëdha. Jo vetëm kaq, por ato u kthyen në përplasje dhe polemika të ashpra në përfundim të Derbit të Italisë në “San Siro”. Juventusi fitoi 1-0 ndaj Interit në Lombardi, me një gol të shënuar nga Filip Kostiç në pjesën e parë, por me një prekje të dukshme me dorë nga ana e francezit Adrien Rabio në aksion e sipër. Gjithsesi, gjyqtari e quajti të rregullt golin e shënuar nga mesfushori serb, për habinë dhe zemërimin e vendasve.
“Madunina, çfarë Juventusi”, është loja e fjalëve e “Tutosportit” të Torinos, duke iu referuar Milanos me emrin “Madonina”, sipas himnit të qytetit. Gjithsesi, polemikat nuk munguan as tek mediat. “Juventus, një kockë e fortë, shkruan “La Gazeta delo Sporti”, fitore me stilin Alegri, furi e Inzagit. Kostiç palos Interin mes VAR-it e polemikave!”
Edhe trajneri i Interit nuk mbeti më prapa, përkundrazi, ishte shumë i zemëruar. “Ne pësuam një gol qartësisht të parregullt që përcaktoi ndeshjen, – tha ai, – Një episod tepër i rëndë, që është i papranueshëm për ne. Ne u përpoqëm shumë, por nuk ishte e lehtë sepse Juventusi u mbrojt në thellësi dhe me shumë lojtarë. Rezultati nuk tregon atë që ndodhi në fushë”. Interi zbret në vendin e tretë në Serinë A me 50 pikë, ndërsa Juventusi është vetëm 7 pikë larg zonës Champions.
Sfidanti.al