Barcelona e Ksavit nis të marrë fytyrën e kampiones!

Kjo është batuta e të përditshmes madrilene, “Marka”, që do të kishte dashur një titull tjetër, por që objektivisht nuk i shmanget të vërtetës. Edhe pse 8 pikë diferencë në shkurt nuk të japin siguri të plotë për titullin, sërish kjo tregon qartë sesi është njëri ekip dhe sesi tjetri. Barcelona u shkëput në krye të La Ligës spanjolle falë fitores 3-0 në “Spotifaj Kamp Nou” ndaj Seviljes, ndërsa Reali u mund në stadiumin e Majorkës. Me të drejtë “Marka” bën analizën se Barça ka një ekip me djem të rinj, shumë të talentuar dhe të etur për suksese, ndërsa Reali ka një brez me shumë përvojë që ka fituar gjithçka, por që duket se është në nevojën për të ndërruar brezin. Zhordi Alba, Gavi dhe Rafinja ishin autorët e golave dhe katalanasit e Ksavit nuk e patën problem që Levandovski nuk shënoi. Epërsia ishte më e madhe se kaq, me gjuajtjet 13-3, ato në portë 8-1 dhe kornet 8-3 si dhe zotërimin e topit 71-29 për qind. Barça ka 53 pikë dhe golaverazh +35 ndaj 45 pikëve të Realit dhe golaverazhit +23.

Sfidanti.al