Barcelona bën detyrën në Turqi, por nuk ndalen as Atalanta, Uest Hemi, Frankfurti e Marseja!

Pjer-Emerik Obamejang me gjasë do të cilësohet si blerja më e madhe dimërore e bërë ndonjëherë nga katalanasit. Ish-kapiteni i Arsenalit ka gjetur një frymëzim dhe një formë të madhe në “Kamp Nou”, duke ndihmuar Barcelonën këto javë me golat e tij. Tepër i rëndësishëm ai i shënuar në stadiumin e Gallatasarajit, duke i dhënë kualifikimin ekipit “blaugrana” për në çerekfinalen e Ligës së Europës. Turqit shënuan të parët me anë të brazilianit Markao, por Pedri barazoi shpejt, në 37’, ndërsa Obamejangu goditi 4 minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Mediat katalanase shkruajtën se “Barça vuajti, por përmbysi e do të jetë në të katërtat e finaleve”. “Treguam durim, personalitet dhe pjekuri sidomos pasi pësuam gol, – tha trajneri Ksavi, – jam shumë i kënaqur për fitoren, por nuk dua të mendoj se jemi favoritë. Nuk ia vlen të mendojmë tani për fitoren e trofeut”.

Rezultatet: Gallatasaraj-Barcelona 1-2 (0-0), Leverkusen-Atalanta 0-1 (2-3), Lion-Porto 1-1 (2-1), Uest Hem-Sevilja 2-0 (0-1), Frankfurt-Betis 1-1 (2-1), Crvena Zvezda-Gllazgou Rejnxhërs 2-1 (0-3), Monako-Sporting Braga 1-1 (1-3).

Të kualifikuar: Barcelona, Atalanta, Lioni, Rejnxhërsi, Lajpcigu, Sporting Braga, Uest Hemi, Frankfurti.

Sfidanti.al