Për 90 minuta u duk si skuadra e vogël në fushë, ndërsa duhej të ndodhte e kundërta. Roma e pa veten shumë pisk përballë Viteshes së Arnhemit në ndeshjen e kthimit të Ligës së Konferencës, dhe u shpëtua vetëm nga goli i Tami Abrahamit në sekondat shtesë. Marash Kumbulla ishte titullar në mbrojtjen me 3 lojtarë të përzgjedhur nga trajneri Zhoze Murinjo, veçse holandezët zhvilluan një lojë më sulmuese, më moderne, duke pasur 63 për qind të zotërimit të topit dhe shumë më tepër pasime. Në radhët e Viteshes ishte mesfushori sulmues i përfaqësueses së Kosovës, Toni Domgjoni. Vitek shënoi në 62’ për miqtë, duke barazpeshuar rezultatin, porse në fund realizoi anglezi Abraham, më i miri i sezonit për Romën.
Suksese për Leisterin anglez, PSV-në holandeze, Marsejën, por edhe për ekipe si Sllavia e Pragës, PAOK i Selanikut apo edhe Bodo Glimti, që e mundi Romën 6-1 në fazën e grupeve.
Rezultatet: Roma-Viteshe 1-1 (1-0), Bazel-Marsejë 1-2 (1-2), Fejënord-Partizan 3-1 (5-2), Gent-PAOK 1-2 (0-1), LASK Linc-Sllavia Pragë 4-3 (0-3), FC Kopenhagen-PSV Ajndhoven 0-4 (4-4), Renë-Leister 2-1 (0-2), AZ Alkmar-Bodo Glimt 2-2 (1-2).
Të kualifikuar: Roma, Marseja, Fejënordi, PAOK-u, Sllavia e Pragës, PSV Ajndhoven, Leister, Bodo Glimt.
Sfidanti.al