“Nuk është asnjëherë moment i mirë për të lënë pushim Mesin”. Këto fjalë të Ernesto Valverdes tingëlluan profetike në përfundim të ndeshjes së çmendur të La Ligës, që Barcelona barazoi 4-4 në fushën e Vijarrealit. Padyshim, përballja më epike dhe më dramatike e sezonit në Spanjë, dhe një tjetër dëshmi se ky Lionel Mesi ka diçka magjike në vetvete.
Natyrisht, nuk ia vlen të besohet tek magjikë, por tek talenti i jashtëzakonshëm i kapitenit, tek karakteri i tij i pathyeshëm, dhe tek ndikimi i madh që prania e tij në fushë, ka tek shokët e skuadrës.
Katalanasit po fitonin 2-0 në pjesën e parë, pa numrin 10 në fushë. Filip Kutinjo dhe Malkom ishin autorë të golave, në atë që mendohej si fitorja e lehtë e radhës, në rrugën drejt titullit. Shpejt ndodhi çudia, kur Vijarreali shkurtoi diferencën që në 23’, ndërsa pjesa e dytë ishte e shkëlqyer për vendasit. Ekambi në 50’, Iborra në 52’ dhe Karlos Baka në 80’ bënë që rezultati të shkonte në 4-2. Në
Në minutën e 61-të, Valverde nuk priti më, por hodhi në fushë Mesin në vend të Kutinjos. Në minutën e 90-të, argjentinasi realizoi nga goditja e dënimit, ashtu siç bëri në fundjavë, ndërsa në minutën e 94-ët ishte radha e Luis Suarezit të barazonte në 4-4. Barcelona ka tani 8 pikë epërsi ndaj Atletikos, por mënyra sesi shmangu humbjen, me shumë gjasë i ka dhënë moral shumë më të lartë për vazhdimin e sezonit, qoftë në La Liga, në Kupën e Mbretit, por sidomos në Champions. Sa për Mesin, ai ka tani 32 gola në kampionat, dhe 42 në sezon.
Sfidanti.al