Kur në një ndeshje më i miri lojtar del një mbrojtës, kuptohet se nuk ka pasur shumë fryte në sulm. Kështu i qëlloi Barcelonës, për të cilën numri 1 i vlerësuar ndaj Getafes ishte qendërmbrojtësi Jerri Mina. i zoti në pjesën e mbrapme, por edhe në sulm, Mina bëri gjithçka mundi, ndihmuar nga Busketsi, por Barça nuk arriti të fitonte ndaj Getafes në “Kamp Nou”.
Pas gafave të mëdha të Realit, dhe gabimeve të Atletikos apo Valencias, ja radha e katalanasve për të “rrëshqitur”. Barazimi pa gola bëri që Atletiko të jetë “vetëm” 7 pikë larg, ndërsa duhen ende 15 javë (pra me 45 pikë në lojë) deri në përfundim të sezonit.
A mund të thuhet se Atletiko, të paktën, mund të ketë shpresë? Padyshim që po, veçse nuk duhet harruar se një ekip i madh si “blaugranët” gjithnjë reagon kur gabon. Për më tepër, të besuarit e trajnerit Valverde do t’i luajnë në “Kamp Nou” të gjitha ndeshjet ndaj rivalëve. Aty presin Atletikon, Valencian dhe Realin, pra kanë një avantazh të rëndësishëm ndaj tyre. Sidoqoftë, për tifozët e futbollit, është gjë e bukur që titulli në Spanjë të vihet në diskutim.
Sfidanti.al