Bajerni vazhdon fitoret dhe të thellojë rekordin në Bundesligë

Asnjë skuadër në të kaluar nuk kishte arritur të shënonte kaq shumë në kampionat, në një vit kalendarik. As Bajerni i yjeve Bekenbauer, Gerd Myler e Zep Majer, as ai i Riberisë dhe Robenit, madje as Këlni rekordmen i vitit 1977. Barriera e 101 golave, aq sa ishte rekordi i “dhive” para 44 viteve sot nuk ekziston më, ndërsa skuadra e trajnerit Julian Nagelsman vazhdon punën aty ku e kishte lënë ajo e ish-trajnerit Hansi Flik. Suksesi 5-0 në stadiumin e Shtutgartit ishte jo vetëm pohimi i radhës për forcën e kampionëve, por edhe arritja në kuotën e 112 golave në 2021 vetëm në Bundesligë. Kjo do të thotë 11 gola mbi rekordin e vjetër të Këlnit, ndërsa mbetet edhe ndeshja e fundit e vitit, në “Alianc Arena” ndaj Volfsburgut në 17 dhjetor përpara sesa të nisë pushimi dimëror. Bajerni ka 52 gola në 16 ndeshje këtë sezon dhe 60 gola në 21 ndeshje në fazën e dytë të sezonit të kaluar, me mesatare thuajse fiks 3 rrjeta për çdo ndeshje.

Sfidanti.al