Le të mos ankohemi veç për shkarkime trajnerësh, kemi edhe rikthimin “Martini”!

Kur ai dha dorëheqjen nga detyra si teknik kampion, një njeri që e njeh mirë Teutën dhe vetë Martinin, tha se “ka mundësi që ai po bën veprimin e tij për t’u votëbesuar nga klubi”. Edi Martini u largua 3 javë më parë pas humbjes 1-2 me Partizanin në Superligë, dhe u mendua se historia e shkodranit do të ishte si ajo e njerëzve të tjerë të stolit që shkarkohen “me lopatë” në Shqipëri. Gjithsesi, paskemi folur para kohe. Historia e Martinit paska qenë vërtet ajo që parashikoi personazhi i përmendur më sipër, pra që shkodrani ia la “topin në fushë” drejtuesve.

Si fillim, presidenti Edmond Hasanbelliu, që ka pasur gjithnjë një raport të veçantë me ish-numrin 10 të Vllaznisë, nuk reagoi, dhe trajneri u largua. Pa kaluar mirë 3 javë, Hasanbelliu e bëri analizën e tij, tashmë duke pasur kohë të mendohet me qetësi, dhe me tagrin që ia jep pozicioni bëri “prapakthehu”. “Ai vërtet dha dorëheqjen, por ne nuk ia kishim pranuar”, – tha presidenti me të qeshur për të përditshmen “Panorama Sport”.Një rikthim i denjë për një trajner që fitoi Superligën, Kupën dhe Superkupën në vetëm pak muaj, ndonëse nuk dihet nëse do të jetë rikthim i suksesshëm. Nëse dëgjon ligjëratën e z. Berisha që ka nisur sulmin në PD, atëherë mund t’i ecë mbarë, sepse ish-presidenti tha se “nga gjithçka që kam lexuar, nuk kam gjetur asnjë rast ku rikthimi të mos ketë qenë i suksesshëm”.

Sfidanti.al