Bajerni trondit veten dhe Gjermaninë, mundet 1-2 në Augsburg

Rezultati duket i habitshëm, por është e vërteta. Bajerni papritur humbi 1-2 në fushën e Augsburgut, në sfidën e Bundesligës, duke qenë fajtor për rihapjen e garës për titull. Kjo ishte disfata e dytë në 11 ndeshje, ndërsa luajtën rol edhe mungesat si Kimih, Zyle, Koman, por edhe fakti se mjaft lojtarë ishin të lodhur nga ngarkesa me kombëtaret si Sane, Myler, Levandovski, Gorecka apo të tjerë. Gjithsesi, nuk duhej të kishte qenë kështu ndaj ekipit të dytë nga fundi i renditjes. Dominimi i bavarezëve ishte i plotë me gati 80 për qind zotërim topi (79.2%), me 18 gjuajtje drejt portës ndaj 5, ndonëse vetëm 4 në kuadrat daj 3 të vendasve, që u treguan më efikasë dhe më të vendosur.

E papritura e madhe u sendërtua me golat e shënuar nga Mads Pedersen në 23’ dhe Andre Hahn në 35’ për vendasit, dhe nga ngushtimi i diferencës nga Robert Levandovski në 38’. Gjithçka pra ndodhi në pjesën e parë, të paktën përsa i përket rrjetave, ndërsa pas pushimit pati përpekje, por jo ndryshim rezultati. Kjo bën që Dortmundi të jetë me shpresë për t’iu afruar në vetë 1 pikë diferencë bavarezëve që kryesojnë Bundesligën me 28 pikë e 12 ndeshje, ndërsa Borusia ka 24 pikë e 11 ndeshje. Duket se gara për titull mund të mbetet e bukur, pavarësisht nga diferenca e madhe në golaverazh e Bajernit ndaj verdhezinjve: 41-13 ndaj 28-17!

Bajerni: Nojer, Pavar (Nianzu 87’), Upamekano, L. Hernandez, Riçards (Dejvis 52’), Zabicer (Musiala 52’), Gorecka, Gnabri, Tomas Myler, Sane (Çupo-Moting 69’), Levandovski. Tr. Nagelsman

Sfidanti.al