Filip Kutinjo më në fund pati një mbrëmje të madhe dhe Hansi Flik la pas dy humbje radhazi duke fituar. Bajerni mposhti Totenhemin dhe Zhoze Murinjon, në një duel prestigji, por jo me vlerë renditjeje, dhe me dy ekipet të kualifikuar që më parë në turin e dytë të Championsit.
Kingsli Koman kaloi bavarezët në epërsi në prani të 75 000 shikuesve në “Alianc Arena”, por Rian Sesenjo barazoi shpejt. Në fund të pjesës së parë, Tomas Myler ktheu avantazhin e vendasve, ndërsa Kutinjo kurorëzoi paraqitjen e madhe me golin e tretë (64’). Në grupin B, në Ligën e Europës shkoi Olimpiakosi që mundi në fund Crvena Zvezdën 1-0 në Pire, me gol të shënuar me penallti nga Josef El Arabi.
Në grupin A, Paris SG përfundoi i pari pas fitores 5-0 në fushën e tij ndaj Gallatasarajit. Ikardi, Sarabia, Nejmar, Mbape dhe Kavani (penallti) ndanë barabar golat. Reali e mbylli gjithashtu me sukses, me 3-1 në Belgjikë ndaj Klub Bryzhit ku shënuan të rinjtë si Rodrigo e Vinisius, por edhe veterani Luka Modriç.
Në grupin C u luajt më herët dhe Mançester Siti mposhti Dinamon e Zagrebit në Kroaci 4-1. Spanjolli Dani Olmo kaloi vendasit në epërsi në “Maksimir”, por ishte mbrëmja e Gabriel Zhezusit që shënoi 3 herë. Fil Foden mbylli serinë e golave në 84’. Atalanta fitoi 3-0 në Ukrainë ndaj Shahtarit dhe u kualifikua.
Në grupin D, Juventusi kaloi 2-0 në Gjermani ndaj Leverkusenit. Ronaldo shënoi të parin, pas topit të dhënë nga Dibala, ndërsa Higuain fiksoi shifrat në fund. Me sukses edhe Atletiko e Madridit që mundi në Spanjë 2-0 Lokomotivën e Moskës. Tripier humbi fillimsisht penallti, pastaj Zhoao Feliks realizoi po me penallti dhe Felipe dyfishoi.
Shorti i turit të dytë të Championsit hidhet në 16 dhjetor, në orën 12:00, pra në mesditë në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës. Në 13:00 do të jetë shorti i Ligës së Europës.
Vazo 1: Barcelona, Bajern Mynih, Juventus, Liverpul, Mançester Siti, Paris SG, Lajpcig, Valencia.
Vazo 2: Napoli, Real Madrid, Totenhem, Dortmund, Lion, Çelsi, Atalanta, Atletiko Madrid.
Në Ligën e Europës: Bryzh, Olimpiakos, Leverkusen, Salcburg, Inter, Benfika, Ajaks, Shahtar Donjeck.
U eleminuan: Gallatasaraji, Crvena Zvezda, Lokomotiv Moskë, Genk, Sllavia Pragë, Zenit, Lilë, Dinamo Zagreb.
Sfidanti.al