Secila me të veçantën e vet, dallim që ka qenë jet e mot mes dy llojeve të futbollit. Bajerni i Mynihut fitoi Superkupën e Europës, me gjasë trofeun e tij më të vështirë nën drejtimin e Hansi Flikut, duke kujtuar arritjen legjendare të Barcelonës së Pep Guardiolës në 2009. Edhe pse e mbushur me yje, skuadra bavareze nuk u mbështet tek ndonjë superyll, siç ndodhi me katalanasit e Lionel Mesit, por sipas traditës gjermane triumfoi me parimin “një për të gjithë, të gjithë për një”. Sevilja u mund 2-1 në stadiumin me emrin e Ferenc Pushkashit të madh në Budapest, ndonëse spanjollët e treguan veten si fitues të denjë të Ligës së Europës. Nuk ishte turp që u mundën nga fituesit e Championsit.
Lukas Okampos shënoi me penallti për ekipin e trajnerit Lopetegi, pasi Rakitiç u rrëzua në zonë. Barazoi Leon Gorecka, ndërsa në minutën e 104-ët, pra në shtesë fitoren e siguroi spanjolli Havi Martinez. Bajerni ka 23 fitore radhazi dhe 4 trofe me trajnerin Flik, të njëjtat si Barça e Guardiolës në 2009, La Ligën, Kupën e Gjermanisë, Championsin dhe Superkupën e Europës. Pritet që të fitojë Superkupën e Gjermanisë dhe Kupën e Botës për klubet që të barazohet fiks me katalanasit.
“Ishte shumë e vështirë, – tha Fliku, – na u deshën 15 minuta të hynim në ndeshje. Jam i lumtur që skuadra tregoi mentalitetin e fortë dhe ia doli. U desh të kalonim vuajtje të mëdha për të fituar. Jam i lumtur për Havi Martinezin. Thoshin se ai duhej të ishte në Bilbao, por ai ishte këtu me ne dhe shënoi golin vendimtar. Sa herë që hyn në fushë, është përcaktues”. “Ishim shumë lart ndaj ekipit më të mirë në Europë, edhe pse kemi vetëm 12 ditë stërvitje, – ishin fjalët e Lopetegit, – i patëm shanset për të fituar, dhe Bajerni shënoi atëherë kur mendohej më pak”.
Sfidanti.al