Bajerni fitoi ndaj Augsburgut, por tifozëve iu kujtua sërish humbja në Champions!

Nuk ishte ndeshja që mendohej nga publiku, veçse lehtësimi mund të jetë për fitoren dhe për hedhjen e një tjetër hapi drejt titullit në Bundesligë. As kjo nuk është për t’u hedhur poshtë, pavarësisht se Bajerni po e bën për herë të 10-të radhazi, ndërsa tifozët po mendojnë se çfarë do të ndodhë javën tjetër në Champions. Goli i Robert Levandovskit erdhi vetëm në minutën e 82-të, dhe vetëm pas një penalltie, ndërsa bavarezët zhgënjyen sërish. Përtej epërsisë në statistika, me më shumë zotërim topi dhe me më shumë gjuajtje (12-3 drejt portës, 7-1 në kuadrat). Ekipi i trajnerit Nagelsman u duk pa dëshirë pas humbjes në Champions me Vijarrealin, e ndoshta nuk mundej të përqëndrohej duke menduar për ndeshjen e kthimit. Kjo fitore nuk ua largoi aspak shqetësimin ultrasve për duelin me spanjollët, ndërsa Bajerni u detyrua sërish të luante me ekipin më të mirë, ndërsa Vijarreali bëri shumë ndryshime në formacion. Kampionët kanë 69 pikë ndaj 60 të Dortmundit që i ndjek në vend të dytë.

Sfidanti.al