Bajern-Dortmund, sa tension dhe përçarje në garën për titull!

Në pamje të parë, është sezoni më i bukur në Bundesligë që nga viti 2012 ose 2013. Dortmundi më në fund po e sfidon Bajernin në luftën për titull, pavarësisht nga katastrofa 0-5 pësuar në “Alianc Arena”. Gjithsesi, në brendësi të dy skuadrave pretendente, gjendja nuk është aq e mirë sa duket nga jashtë. Gazeta “Bild” bën një analizë bazuar tek burimet e saj të brendshme dhe jep disa probleme aspak të vogla.

Tek Bajerni, tensioni është i madh, siç u duk nga përleshja mes Levandovskit e Komanit, ndërsa trajneri Niko Kovaç vazhdon të jetë një çështje, pavarësisht se ekipi ndodhet në vend të parë. Shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige refuzoi të jepte garanci për postin e kroatit, por menjëherë pas kësaj, presidenti Uli Hënes e ftoi Kovaçin për darkë. “Bildi” e quan këtë si pjesë të luftës për pushtet mes Rumeniges dhe Hënesit!

Skuadra mbetet e ndarë për trajnerin, dhe një pjesë e lojtarëve nuk janë të kënaqur me të, duke e krahasuar me Ançelotin, që në Mynih mbahet si simbol i punës pa kujdes dhe pa zotësi të madhe taktike. “Bild” shkruan se e ardhmja e trajnerit varet nga fakti nëse do të fitojë titullin dhe Kupën.

Po Dortmundi? Kritikat për trajnerin Lysien Favre nisën pas humbjes në Mynih, duke e sulmuar për gabime taktike. Flitet se lojtarët donin të luanin ndryshe në mbrojtje, dhe po ashtu zvicerani kritikohet se Marko Rojsi nuk duhej të luante qendërsulmues, në një kohë që Mario Gëce u la në stol. Një shkak tjetër që goditet Favre është se cilësohet si njeri i butë, dhe jo i drejtpërdrejtë. Po ashtu, tek të dyja skuadrat ka pakënaqësi nga disa lojtarë që luajnë pak si Tomas Myler, Boateng apo Hames Rodrigez tek Bajerni, si dhe kapiteni Shmelcer apo Vajgl tek Dortmundi.

Sfidanti.al