Me 22 dëmtime, por Reali kërkon 125 milionë euro për Bejlin

Për raste të tilla, populli thotë “po e paguaj për të ri”. Garet Bejl sot është 29 vjeç, dhe një “makineri e lodhur”, por për Realin kartoni i tij vlen më shumë se 125 milionë euro. Në moshën 23-vjeçare, kur uellsiani erdhi në “Bernabeu”, ai ishte “fringo” dhe për të u paguan rreth 100 milionë euro, në atë kohë një rekord botëror. Si ka mundësi pra që tani, pasi e “shtrydhi” për 6 vjet, dhe pasi Bejli pësoi 22 dëmtime duke mbetur shumë kohë jashtë fushave të lojës, Reali kërkon më shumë sesa pagoi në verën e vitit 2013?

“Arsye tregu, – thonë në Madrid, – çmimi i vendosur nga ne është krejtësisht normal duke pasur parasysh se çfarë u pagua për Nejmarin, Mbapenë apo Kutinjon”. Pra, është çështje kërkesë-oferte, çështje inflacioni dhe çështje biznesi, pasi sot në futboll ka më shumë para sesa 6 vjet më parë. Bejli luajti 227 ndeshje për Realin duke shënuar 102 gola (mesatare aspak e keqe), duke fituar 4 Champions, 1 titull në La Liga, 1 Kupë të Mbretit, 1 Superkupë të Spanjës, 3 Superkupa të Europës dhe katër Kupa të Botës për klubet.

Janë gjithsej 14 trofe të mëdhenj, ndërsa Reali shpreson të bëjë një shkëmbim Bejl-Pogba me Mançester Junajtidin, duke pranuar të paguajë edhe një sasi tjetër parash për t’ia dalë.

Sfidanti.al