Rekordin vështirë se mund ta arrijë, por në fund të fundit, edhe kjo që po bën është jashtë normales. Atalanta është kthyer në “Perëndeshë të golit” në Serinë A, duke iu afruar nofkës së saj DEA, dhe kjo për shkak të numrit të pazakonshëm të golave që po shënon. Një skuadër me vlerë të vogël në treg, me rroga të ulëta për mesataren e kampionatit, jo për në krahasim me Juventusin apo Interin, por që po i afrohet rekordeve historikë.
Me 74 gola të shënuar në 26 javë deri tani në Serinë A, skuadra e trajnerit Gasperini ka mesataren 2.85 rrjeta për ndeshje. Me këtë nivel, për momentin, DEA është në vendin e tretë në listën e më të mirëve të të gjitha kohëve. Rekordin e mban Torino e Madhe e sezonit 1947-1948, që shënoi 125 herë në 40 ndeshje të atij edicioni, me mesataren 3.13 gola për ndeshje. Në vend të dytë është Milani i 1949-1950 me treshen e famshme suedeze Nordal-Gren-Lidholm, që shënoi 118 herë në 38 ndeshje, me mesataren 3.11 gola për ndeshje.
Atalanta lë pas Milanin e 1951-it (107 gola, 2.82 për ndeshje), Interin e 1951-it (107, 2.82), Fiorentinën e 1959-ës, Torinon e 1947-ës, dhe tri herë Juventusin e viteve 1951, 1960 e 1950. Nëse bergamaskët vazhdojnë me këtë ritëm, ata do të kenë 108 gola.
Sfidanti.al