Asllani shënon sërish dhe kënaqet nga koret e tifozëve me emrin e tij në gojë!

Për të paska pasur edhe prapaskena të tjera të rëndësishme. Kristjan Asllani është sot lojtar i Interit, madje shënoi golin e dytë me fanelën zikaltër, në barazimin 2-2 ndaj Monakos në një tjetër miqësore. Mediat italiane raportojnë se trajneri veteran, Xhovani Galeone, ia ka këshilluar Asllanin trajnerit të Juventusit, Masimiliano Alegri. Interi mesa duket u tregua më i shpejtë, dhe 20-vjeçari po ia shpërblen besimin teknikut Simone Inzagi, e kundër Monakos krijoi edhe rrjetën e parë të shënuar nga Galiardini. Pasi shënoi në miqësoren e parë ndaj Luganos, dhe Asllani u përsërit ndaj francezëve në stadiumin e Ferrarës. Goli i tij ishte për barazimin 2-2, ndërsa mesfushori i kombëtares shqiptare ishte sërish titullar.

“Po, po, – tha Asllani pas ndeshjes, – ndihem shumë mirë sepse shokët më kanë pritur shumë mirë dhe po më ndihmojnë. Më vjen mirë që shmangëm humbjen, por mëkat që nuk arritëm të fitonim. Le të vazhdojmë përpara kështu. Ne po përmirësohemi ditë pas dite. Po përpiqemi të bëjmë atë që na kërkon trajneri, mendoj se luajtëm një ndeshje të mirë. Duhet ende që të përmirësohemi, por ka kohë”.

Publiku interist menjëherë ka rënë në dashuri me shqiptarin. “Jam i lumtur për tifozët, – vazhdoi ai, – duke qenë vetë tifoz i Interit, jam shumë krenar që thërrasin emrin tim. Sipas mediave italiane, trajneri Simone po përpiqet të krijojë një skemë loje 3-4-1-2, për të mundur të aktivizojë njëkohësisht si titullarë edhe Brozoviçin, edhe Asllanin.

Sfidanti.al