E ka vendosur tashmë sesi do të jetë e ardhmja e tij. Kristjan Asllani i ka thënë “Po” Interit dhe trajnerit Simone Inzagi, ndonëse do të duhet të presë që dy klubet të bien dakord. Pavarësisht interesimit të Milanit dhe Napolit, dhe konkurrencës nga Anglia me Njukasëllin në krye të listës, sërish zgjedhja e mesfushorit të kombëtares shqiptare ishte për ngjyrat zikaltër. Futbollisti 20-vjeçar do të fitojë 1.2 milionë euro si rrogë bazë, pas pagimit të taksave, pra një rrogë neto, ndërsa do të ketë edhe shpërblime. Trajneri i Interit, Inzagi, dëshiron që ta ketë Asllanin si alternativë për kroatin Marcel Brozoviç, që cilësohet lojtari më i mirë i mesfushës, por i cili nuk mund ta përballojë gjithë sezonin e ngarkuar në Champions, Serinë A dhe Kupën e Italisë, plus ndeshjet me kombëaret.
Toskanët e vlerësojnë kartonin e shqiptarit 15 milionë euro, dhe zikaltërit po mbledhin paratë për të paguar, duke ofruar edhe Espoziton si pjesë e marrëveshjes. Paratë për Asllanin priten nga transferimet e lojtarëve si Sensi, De Gregorio dhe Pirola, dy prej të cilëve do të shkojnë tek Monza. Empoli ka kërkuar që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe mesfushori Lysien Agume, të cilin e do në huazim dhe që ka karakteristika të ngjashme me mesfushorin kuqezi. Asllani shkëlqeu në fazën e dytë të sezonit në Serinë A, duke u bërë titullar i padiskutueshëm për ekipin toskan, ndërsa tashmë është pjesë e kombëtares shqiptare, ndonëse trajneri Edi Reja nuk e ka aktivizuar aq shumë.
Sfidanti.al