Rrogën që merr e ke diskutuar vetë me drejtuesit e klubit, pra je “i larë” për atë që jep. Bota e futbollit njeh shumë yje që kanë ditur të ruajnë ekuilibrat në dhomat e zhveshjes së ekipeve të tyre si Pele, Bekenbauer, Krujf, Maradona, Zidan apo Mesi, por Kristiano Ronaldo mesa duket nuk i përket këtij lloji. Pas atyre që u thanë në momentin e ikjes së tij ndaj Reali, një raport i ngjashëm del në Itali ndërsa portugezi u largua nga Juventusi për tek Mançester Junajtidi. Në atë kohë dolën fjalë të trajnerit Zidan që i thoshte presidentit Perez që të gjente një zgjidhje për Ronaldon sepse e kishte shqetësuar ekipin me kërkesat e tij demonstrative për rrogë më të lartë, të krahasueshme me Mesin. Tashmë, pasi Bonuçi e Kielini folën kundër CR7-ës, mediat shkruajnë se shokët e skuadrës u ndjenë të kënaqur që ai iku. “Ai nuk ka qenë pjesë e skuadrës së bashkuar, – shkruan “Tutosporti”, – ai nuk bënte detyrat mbrojtëse, ndryshe nga Tevezi apo Pirlo. Me Ronaldon në formacion, Juvja u bë më e dobët në mbrojtje. Ai nuk kishte disiplinën e duhur, prishi rregullin e shenjtë të barazisë në dhomën e zhveshjes, dhe kritikonte shokët për gabimet që bënin”.
Sfidanti.al