Nga një bekim për Shqipërinë, lojtari kyç që na dërgoi në “Euro2024”, Jasir Asani ka humbur totalisht statusin e tij në përfaqësuese duke mos u preferuar asnjë minutë nga Sylvinho në dy sfidat e fundit kundër Serbisë dhe Letonisë. Jo vetëm në Kombëtare, Asani ka humbur jo pak edhe nga shkëlqimi i tij në radhët e Gwangju. Aventura e tij me ekipin nga Korea e Jugut mund të jetë në ditët e fundit pasi mediat në Azi shkruajnë se për anësorin kuqezi ka një interesim të fortë nga Japonia. Yokohama Marinos, një nga klubet më historike në Azi, po kalon një moment shumë të vështirë këtë sezon ku po luftojnë për mbijetesë. Ky status ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit të cilët po kërkojnë për përforcime të menjëhershme në këtë merkato vere. Asani duket profili ideal për të përforcuar repartin ofensivë, për më tepër që kartoni i tij nuk pritet të kushtojë shtrenjtë pasi ekipi i tij, Gwangju po kalon një krizë të vërtetë financiare dhe janë të detyruar të shesin për të shmangur falimentin. Gjithnjë sipas mediave në Azi, Yokohoma dhe Gwngju kanë nisur bisedimet për një transferim të mundshëm, mbi bazën e 1 milionë dollarëve. Jo vetëm problemet financiare, Gwangju është e detyruar të shes Asanin pasi lojtarit i përfundon kontrata në dhjetor të këtij viti.
sfidanti.al