As edhe një Gjimshiti i madh nuk mjaftoi ndaj Interit!

Kur një skuadër është nisur drejt titullit kampion është tepër e vështirë për ta ndaluar. i tillë duket Interi që po vrapon nga fitorja në fitore, ndërsa nuk mundi ta pengonte as Atalanta që pati në radhët e veta një Berat Gjimshiti në formë të shkëlqyer. “La Gazeta delo Sport” e vlerësoi mbrojtësin e kombëtares shqiptare si më të mirin në fushë në “San Siro” me notën 7.5. Vetëm pas tij erdhi Romero po i Atalantës me notën 7, si dhe De Vraj i Interit që pati notën 6.5. Nuk ishte arritje e vogël në një ndeshje ku ishin në fushë të tillë si Romelu Lukaku apo Lautaro Martinez, ndërsa Gjimshiti është një nga mbrojtësit më të mirë të Serisë A dhe të Europës. Trajneri Gasperini është i dëshpëruar për humbjen, por krenar. “Ky rezultat nuk na takonte sepse e bëmë ne ndeshjen, – tha ai, – Interi pasi shënoi golin u mbyll në portë. Gjithsesi, po luanim ndaj ekipit të vendit të parë, që është kandidati numër 1 për titull. Ky është viti i Interit”.

Sfidanti.al