A nuk ishte kjo skuadër në krizë? Arsenali shkonte në “San Siro” pas katër humbjeve radhazi,në çdo kompeticion, por kjo nuk i prishi aspak punë këtë herë. Milani i Gatuzos, që po fitonte “Palmën e Artë” si skuadra e momentit, papritur u shfaq si ekip i dorëzuar dhe u mund 0-2, me londinezët që hipotekuan kualifikimin për në çerekfinalen e Ligës së Europës. Ec e kuptoje, po deshe, futbollin!
Mesut Ozil shkëlqeu si dikur, Henrik Mkitarian dhe Aron Ramsej ishin ata që shënuan golat, ndërsa Granit Xhaka, Loren Koshielni apo Shkodran Mustafi u dukën “shkëmb graniti” në prapavijë. Disfatat ndaj Ostersundit (Europa League), dy herë ndaj Man. Sitit (kupë e kampionat) dhe Brajtonit (kampionat), për momentin janë harruar.
Mbi 72 000 tifozët në stadiumin e famshëm milanez prisnin krejt tjetër gjë, por ja që Milani ende nuk jep garanci. Pas 12 ndeshjesh pa humbje, ishte e qartë që mund të vinte një përballje “ridimensionuese”. Donaruma, Romanjoli, Kalabria, Kesi, Bonaventura, Suso apo Kutrone janë ende pa përvojë dhe do të duhet të mësojnë.
Natyrisht, nuk mund të thuhet me siguri se Arsenali është i kualifikuar, vetë trajneri Arsen Venger do t’u thotë të kundërtën lojtarëve të tij, por gjithsesi ka bërë një hap të madh. Arsen Venger ndoshta mund ta shpëtojë sërish stolin e tij, nëse londinezët ia dalin të shkojnë deri në finale, ta fitojnë trofeun dhe të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve.
Sfidanti.al