Arsenali mban presionin, mund “djajtë” dhe marshon në Angli!

Ishte një mister sesi do të përfundonte kjo ndeshje, dhe e fshehta u zbulua vetëm në fund. Përballja mes Arsenalit dhe Mançester Junajtidit dihej se do të ishte shumë e fortë, e ashtu ndodhi me vendasit që ia dolën të fitonin në minutën e 90-të. Në një duel tepër të fortë të Premier Ligës në Londër, në prani të mbi 60 000 tifozëve, “topçinjtë” ia dolën 3-2 madje me përmbysje. “Djajtë e kuq” vinin me pretendime në kryeqytet, pas një serie rezultatesh pozitive, dhe kaluan të parët në avantazh me golin e sulmuesit Markus Rashford. Gjithsesi, skuadra mike nuk mundi të ishte e barabartë me Arsenalin. Londinezët luajtën më mirë dhe merituan gjithçka duke përmbysur rezultatin, fillimisht në 2-1 e pastaj duke shënuar golin e fitores në sekondat e fundit.

U duk qartë se trajneri i Arsenalit, Arteta, ka më shumë kohë që punon me lojtarët e tij, ndërsa Mançester Junajtidit do t’i duhet më shumë kohë për t’iu afruar. Ekipi vendas bëri dyfishin e gjuajtjeve, dhe pati shumë më tepër zotërim të topit, ndonëse nuk e pati të lehtë që ta konkretizonte epërsinë. Në mesfushë për londinezët, edhe shqiptari nga Kosova Granit Xhaka që ishte titullar dhe luajti deri në fund. Me këtë fitore, Arsenali u ngjit në kuotën e 50 pikëve, duke mbajtur diferencën 5 pikë ndaj Mançester Sitit. Shpresat po shtohen gjithnjë e më shumë që do të mund të fitohet titulli i parë që nga viti 2004.

Sfidanti.al