Marrëveshja e arritur dy ditë më parë mes Real Madrid dhe UEFA-s duket më shumë si një armëpushim sesa një paqe përfundimtare. Pas muajsh tensionesh, kërcënimesh me procese gjyqësore dhe përplasjeje të hapur për të ardhmen e futbollit europian, palët kanë vendosur të ulen në një marrëveshje parimore që i jep fund përkohësisht konfliktit mes organizmit që drejton futbollin kontinental dhe klubit më të fuqishëm e më me ndikim në skenën europiane.
Megjithatë, kjo kthesë nuk do të thotë se ideja për të ndryshuar rrënjësisht arkitekturën e kompeticioneve ka vdekur përfundimisht. “Armët” mbeten mbi tavolinë – thjesht janë lënë mënjanë për të shmangur një betejë që do të ishte e dhimbshme për të gjitha palët, veçanërisht për UEFA-n, në dritën e vendimeve gjyqësore – nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së e më tej – që kanë vënë në diskutim pozicionin dominues të Nyon-it.
Presidenti i Real Madrid, Florentino Pérez, kishte paralajmëruar në një moment edhe një kërkesë dëmshpërblimi prej 4.5 miliardë eurosh.
Superliga: e transformuar, jo e zhdukur
Projekti i Superligës, i nisur në prill 2021 nga 12 klube elitare, tashmë nuk ekziston në formën që tronditi ekuilibrat e futbollit europian – një kompeticion i mbyllur, ku kriteri i pjesëmarrjes ishte prestigji dhe jo meritokracia.
Por kompania A22 Sports Management është riorganizuar, duke propozuar një format më të hapur me ngjitje dhe rënie nga kategoria, si dhe duke zhvendosur fokusin te menaxhimi i të ardhurave nga të drejtat televizive. Edhe pse nuk përmendet zyrtarisht në komunikatën e përbashkët, A22 thuhet se ka qenë pjesë e diskutimeve.
Në deklaratë thuhet se marrëveshja do të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ligjore për Superligën dhe do të fokusohet te “qëndrueshmëria afatgjatë e klubeve dhe përmirësimi i eksperiencës së tifozëve përmes teknologjisë”.
Lufta për të drejtat televizive
Në thelb të përplasjes ka qenë pikërisht kontrolli i të drejtave televizive – “El Dorado”-ja e futbollit modern. Një vit më parë, A22 prezantoi platformën “Unify”, që parashikonte transmetim falas të ndeshjeve përmes streaming-ut, me të ardhura të shumëfishuara nga reklamat.
Ndërkohë, UEFA ka bërë një hap strategjik duke u dorëzuar klubeve menaxhimin e të drejtave të kompeticioneve përmes joint venture UC3, duke pranuar se drejtimi i ri komercial duhet përqafuar dhe jo luftuar.
Rikthim në shtëpi
Real Madrid dhe FC Barcelona janë rikthyer në shoqatën e klubeve europiane (ECA), e drejtuar nga Nasser Al-Khelaifi, presidenti i Paris Saint-Germain. Ironikisht, në vitin 2021 ai ishte ndër arkitektët fillestarë të Superligës bashkë me Andrea Agnelli, përpara se të tërhiqej në momentin vendimtar.
Cikli i ri financiar
Në periudhën 2024–2027, UEFA ka siguruar rreth 4.4 miliardë euro të ardhura. Me tenderin e ri, pritet të tejkalohet shifra e 6 miliardë eurove. Për ciklin 2027–2033, strategjia tashmë flet hapur për “paketa inovative që shfrytëzojnë të dhënat dhe teknologjinë”.
A është mbyllur vërtet rrethi me këtë marrëveshje? Apo kemi thjesht një pauzë strategjike në betejën për kontrollin e futbollit europian? Një gjë është e sigurt: Superliga si ide nuk ka vdekur – ajo thjesht ka ndryshuar formë.
sfidanti.al

