Nuk dihet nëse do të realizohet, ndërsa kohë ka pak. Gjithsesi, deri në mesnatën e 31 gushtit gjithçka ndodh nëse do të ekzistojë vullneti i të dyja palëve, ndaj edhe ekziston mundësia që Armando Broja të largohet nga Çelsi. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, i cili vazhdimisht ka qenë i rëndësishëm për trajnerin e Çelsit Tomas Tuhel, por që gjithnjë është diskutuar për t’u larguar, mund të shkojë tek Evertoni. Mediat britanike këmbëngulin se Blutë e Londrës janë gati të japin kartonin e Brojës dhe atë të talentit tjetër, Konor Gallaher, plus 25 milionë paundë stërlina për të marrë mesfushorin ofensiv të Evertonit, Entoni Gordon. Sipas “Gardianit” (The Guardian), vlera e transferimit mund të arrinte në 75-80 milionë paundë stërlina, ndërsa vetë kartoni i Brojës llogaritet në rreth 30 milionë euro.
Tek Evertoni, sulmuesi 20-vjeçar do të bashkohej me trajnerin e parë të tij tek Çelsi, Frenk Lampardin, i cili i dha kontratën fillestare në “Stemford Brixh” dhe gjithashtu i dha debutimin në Premier Ligë 3 sezone më parë. Ai ka qenë për tre vera rradhazi pjesë e ekipit londinez, por gjithmonë është cilësuar si lojtar që mund të huazohej, siç ndodhi fillimisht tek Viteshe në Holandë, e vjet tek Sauthemptoni në Premier Ligë. Sezonin e kaluar, Broja shënoi 9 gola, 6 prej të cilëve në kampionat, duke qenë një nga të rinjtë më të dalluar në futbollin anglez.
Sfidanti.al