Ambicia e tij është për më shumë minuta. Armando Broja beson se ka treguar mjaft për të qenë titullar tek Sauthemptoni, dhe do të donte të aktivizohej sa më gjatë në ndeshjen ndaj kampiones së Anglisë, Mançester Siti. Skuadra e tij shkon në fushën e të mbiquajturve “qytetarë”, që drejtohen nga Pep Guardiola, dhe që e treguan forcën e tyre edhe në mesjavë në Champions. Siti triumfoi 6-3 ndaj Lajpcigut në stadiumin “Etihad” ndaj edhe për Sauthemptonin pritet një provë tepër e vështirë.
Broja gjithashtu e tregoi veten javën e kaluar në Premier Ligë, edhe pse luajti vetëm 15 minuta gjithsej në barazimin shtëpiak 0-0 ndaj Uest Hemit. Kundër londinezëve, shqiptari 20-vjeçar ishte lojtari më i mirë në fushë duke shkëlqyer me shpejtësinë dhe përgatitjen e tij fizike. Sulmuesi i kombëtares krijoi shanse për shokët e tij, por edhe iu afrua golit me aksion individual të paktën që nga mesi i fushës. Në fund, ishte i pafat që topi i goditur me kokë prej tij u largua nga mbrojtësit në vijën fatale.
Nuk dihet nëse trajneri i Sauthemptonit, Hazenhutel do të bindet që ta aktivizojë Brojën që nga fillimi. Diçka të tillë nuk e ka bërë as trajneri i kombëtares Edi Reja në ndeshjet e fundit eleminatore të Botërorit, dhe duket se 20-vjeçari duhet ende të kompletohet në lojën e tij.
Sfidanti.al