Trajneri Tomas Tuhel është i kënaqur që gjithkush është veshur në blu. Sidoqoftë, kjo nuk është plotësisht e vërtetë sepse me skuadrën e Çelsit, në nisje të fazës përgatitore, nuk ishte bashkuar Armando Broja. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që përfundoi huazimin 1-vjeçar tek Sauthemptoni, vështirë të jetë në aeroplanin që do ta dërgojë ekipin në SHBA për vazhdimin e stërvitjeve dhe ndeshjet miqësore. Ai ka zgjatur kohën e pushimeve, duke qenë i impenjuar me kombëtaren shqiptare në qershor, ndonëse janë pushime aktive pasi 20-vjeçari ka punuar fort në mënyrë individuale, siç shihet nga pamjet e publikuara në Tuiter. Mediat angleze shkruajnë se Broja me shumë gjasë mund të largohet nga Çelsi sepse kërkon të luajë rregullisht, diçka për të cilën nuk ka asnjë garanci në një ekip me shumë konkurrencë edhe pas largimit të Lukakut.
Bisedimet mes palëve kanë nisur këtë javë, madje janë zhvilluar dy takime, ndërsa gjatë 24 orëve të ardhshme pritet të jetë më e qartë se çfarë do të ndodhë. Përfaqësuesit e sulmuesit kuqezi duan që gjithçka të zgjidhet përpara turneut amerikan. Tek Sautheptoni, Broja pati minutazh të padiskutueshëm duke shënuar 9 gola gjithsej, 6 prej të cilëve në Premier Ligë. Këto kohë për të interesohen disa klube në elitën angleze si Njukasëlli, Uest Hemi, Evertoni, por edhe Sauthemptoni, ndërsa tekniku i bluve, Tuhel, do të donte që ta shikonte në aksion me Çelsin. Broja ka kontratë në “Stemford Brixh” edhe për 4 sezone, pra londinezët nuk kanë nxitim, por vetë futbollisti nuk dëshiron të jetë sërish i huazuar, ashtu siç ndodhi në dy sezonet e kaluara.
Sfidanti.al