Armando Broja kthehet në “top” në fazën përgatitore të verës!

Kur të vijë vera, ai do të jetë me shokët. Armando Broja pritet të bashkohet me skuadrën e Çelsit që në fillim të fazës përgatitore në korrik, ndërsa po përparon më mirë sesa pritej në riaftësimin nga dëmtimi. Mediat angleze shkruajnë me optimizëm se sulmuesi shqiptar është më pranë kthimit në ekip sesa mendohej, dhe se do të jetë në dispozicion të trajnerit të ri, që pritet të jetë Maurisio Poçetino. Broja vazhdon stërvitjen individuale, diçka mjaft pozitive ndërsa dëmtimi i gjurit në dhjetor ishte tepër i rëndë. Sulmuesi kuqezi ka pasur një rol tepër të vogël këtë sezon, ndërsa Çelsi po kalon një periudhë shumë të vështirë.

Ylli 21-vjeçar ka shënuar vetëm një gol, ka dhënë kontribut në ndonjë gol tjetër, ndërsa është përpjekur të tregojë veten në aq minuta sa është aktivizuar nga trajnerët Tomas Tuhel dhe Graham Poter. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë gjatë verës, pasi nga skuadra londineze mund të largohen shumë yje. Gjithsesi, opinioni i tifozëve është që Broja ose duhet të vazhdojë në skuadër, ose duhet huazuar sërish, por gjithnjë duke mbetur një futbollist i Bluve të Londrës.

Sfidanti.al