Hera e parë do të vinte dhe ai e shfrytëzoi jo keq. Armando Broja u përzgjodh më në fund si titullar tek Çelsi, në një ndeshje kaq të rëndësishme si në Premier Ligë, dhe ndonëse fitorja nuk u arrit, ai mori notë më shumë sesa kaluese. Shqiptari ishte në fushë për 61 minuta në sfidën në fushën e Brentfordit që përfundoi pa gola, dhe krijoi rreziqet më të mëdha për vendasit. Edhe pse nuk shënoi, edhe pse mund të kishte qenë më i qartë, vlerësimi për Brojën nuk mungoi.
“Ai tregoi në dy-tre aksione në pjesën e parë se çfarë është në gjendje të bëjë, – tha trajneri Poter, – ai mund të jetë shumë agresiv sapo sheh një hapësirë të vogël. Brentfordi bëri presion të lartë dhe pati hapësira prapa. Në dy-tre raste mund të kishte vepruar më mirë, por ishte krejt në rregull duke pasur parasysh se kjo ishte ndeshja e tij e parë si titullar. Mendova se 60 minuta ishin mjaftueshëm si herë e parë, por në përgjithësi jam i kënaqur dhe i lumtur prej tij”.
Gjithsesi, tekniku dhe tifozët e shohin shqiptarin si një punë në progres, pra që 21-vjeçari duhet të përmirësohet. Vetë Broja deklaroi pas ndeshjes se “trajneri më ka këshilluar që sa më fort të stërvitem dhe sa më shumë të mësoj nga shokët, aq më i mirë do të bëhem”. Mediat angleze i dhanë notë pozitive yllit kuqezi, dhe “Deili Meili” e vlerësoi me 6.5, duke qenë një nga më të mirë për Çelsin.
Një tjetër precedent pra për sulmuesin 21-vjeçar, pasi në ndeshjen ndaj Uolvesit ai shënoi golin e parë për Blutë e Londrës në kampionat. Gradualisht, ai po integrohet në një ekip si Çelsi ku konkurrenca është tepër e madhe, duke treguar se di të ndihmojë shokët dhe të jetë i rrezikshëm për kundërshtarët, gjithnjë me kusht që të punojë shumë dhe të dëgjojë lojtarët me më shumë përvojë.
Sfidanti.al