Nga Londra padyshim që po e vëzhgojnë. Armando Broja është një lojtar i Çelsit, edhe pse luan për Sauthemptonin, dhe në Angli po theksojnë që Blutë e Londrës mund ta kthejnë në ekip shqiptarin e huazuar. Pasi u bë lojtari i dytë më i ri në historinë e Premier Ligës që shënon 3 gola në 3 ndeshjet e para si titullar, Broja po tërheq vëmendjen gjithnjë e më shumë. Lajmet janë që në janar, kampionët e Europës mund të largojnë sulmuesin gjerman Timo Verner dhe të kthejnë në ekip lojtarin kuqezi. Mediat angleze komentojnë se sulmuesi 20-vjeçar i ka dërguar një mesazh të çmendur shefes së Çelsit, Marina Granovskaja, ndërsa ka realizuar 5 herë për Sauthemptonin këtë sezon.
“Unë jam një lojtar i ri, – thotë Broja, – dhe është e mrekullueshme për këdo që të ketë një mundësi të tillë për të luajtur në Premier Ligë, për të fituar përvojë dhe për t’u bërë lojtar më i mirë. Një mundësi për të luajtur me futbollistë më të mirë se vetja. Kjo është një ëndërr që po bëhet realitet dhe unë po punoj që të mësoj dhe të përmirësohem çdo ditë”.
Broja është edhe lojtari më i mirë në moshën deri 20 vjeç për këtë sezon, pasi askush nga moshatarët e tij nuk ka shënuar 5 gola. “Jam duke u kënaqur, – thekson shqiptari, – edhe pse konkurrenca është e madhe në ekip. Ne jemi në Premier Ligë, në kampionatin më të fortë në botë dhe në çdo skuadër ka rivalitet. Unë thjesht përpiqem të bëj punën time sa më mirë që të jetë e mundur dhe të ndihmoj ekipin me golat e mi”. Trajneri i Sauthemptonit, Ralf Hazenhytl, shpreson që ta ketë edhe më gjatë shqiptarin, të paktën deri në fund të sezonit, ndërsa thekson se ai ka bërë një fillim shumë të mirë e duhet të vazhdojë kështu.
Sfidanti.al