Armando Broja ëndërron për Topin e Artë!

Talenti i tij është i padiskutueshëm. Armando Broja është një nga sulmuesit e rinj më të mirë të Premier Ligës, ku vendosi rekorde me Sauthemptonin, dhe dëshiron të tregojë veten edhe për Çelsin. Futbollisti kuqezi është gjithashtu shumë ambicioz, dhe nuk ka ngurruar të shprehë një dëshirë të madhe. Broja ka folur për revistën e shquar britanke, “Uorld Soker”(World Soccer), duke theksuar se nuk e përjashton mundësinë që të fitojë Topin e Artë në karrierë. “Të gjithë mendojnë se ajo do të ishte një arritje e çmendur, por unë nuk do ta përjashtoja kurrë përsa kohë që qendroj me këmbë në tokë dhe punoj shumë. Padyshim që mua më duhet që të zhvillohem shumë, dhe të bëj progres, por nuk kam dyshime se është në dorën time që ta arrij një objektiv të tillë”.

Topi i Artë është çmimi më i lartë individual i një futbollisti profesionist, dhe aktualisht mbahet nga Karim Benzema si fitues i vitit të kaluar, ndërsa rekordmenët janë legjenda të tilla si Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo. Ndërkaq, sulmuesi flet për takimet e tij me trajnerin Silvinjo. “Kam folur dy herë me të. Ai erdhi të më takonte këtu në Angli. Më duket një person pozitiv dhe që ka një vizion të qartë se ku dëshiron që të çojë skuadrën. Kjo është shumë inkurajuese. Ai ndan ambicien time për të shkuar në një Kupë Bote. Kemi cilësinë në ekip për ta arritur një gjë të tillë”.

Broja ka shkëlqyer sidomos me kombëtaren shqiptare me disa gola të veçantë që treguan cilësitë e tij. Sulmuesi 21-vjeçar vendosi fatin e sfidave ndaj Hungarisë edhe në “Elbasan Arenë”, edhe në Budapest, me dy realizime të shkëlqyera.

Sfidanti.al