Ekipi më i mirë thuajse gjithmonë fiton. Në futboll ndoshta e ke ndonjë shans, ndryshe nga basketbolli, por për Shqipërinë u pa që ishte e pamundur ndaj njërës prej skuadrave më të forta të botës, Anglisë. Gjysmëfinalistët e Kupës së Botës dhe gjysmëfinalistët e Ligës së shkuar të Kombeve patën një epërsi të tillë cilësore ndaj kombëtares kuqezi, saqë sapo Harri Kejn i kaloi në avantazh u kuptua që përfundimi më i mirë do të kishte qenë një humbje dinjitoze. Përballë lojtarëve shqiptar, që dhanë shpirtin në fushë, ishin profesionistë të formuar në njërën nga shkollat më të mira të Europës, dhe me një lojë kolektive, në të cilën merreshin vesh thuajse me sy mbyllur.
Ekipi ynë pati vetëm dy rastet e pjesës së parë, sidomos me Uzunin, ndërsa pas pushimit u desh të pritej minuta e 79-të për të gjuajtur drejt kuadratit të mbrojtur nga portieri Poup. Anglia na kishte mundur po 2-0 në Tiranë kur kishim brezin e artë të viteve 80-të, si dhe 3-1 në 2001, kur sërish kishim lojtarë klasi të formuar thuajse në sistemin e kaluar. Dikur na mungonte përvoja, ndërsa sot duket se vuajmë nga një ekip i krijuar me “kokrra” të mbledhura nga të gjitha anët, kur përballë kemi lojtarë që kanë luajtur bashkë që në moshën 15-vjeçare.
Shpikësit e futbollit mbajtën topin plot 71 për qind dhe bënë 9 gjuajtje ndaj vetëm 2 Shqipërisë që nuk pati asnjë goditje në kuadrat. Gjithsesi, nuk është Anglia rivali i kombëtares sonë në këtë grup. Të besuarit e trajnerit Edi Reja do të duhet të marrin pikët me Hungarinë apo Poloninë, ndërsa ndeshja më e rëndësishme për momentin është ajo e radhës, e 31 marsit që do të luhet në fushën e San Marinos. Shqipëria ka 3 pikë në dy ndeshje pasi fitoi 1-0 sfidën e parë në Andorrë në 25 mars.
Sfidanti.al