Anglia “infekton” Europianin me përgjunjje, e ndjekin Belgjika, Italia e ndoshta Gjermania!

Kombëtarja e “tre luanëve” ka qenë gjithnjë në ballë të luftës kundër racizmit, edhe pse shpesh yjet e saj janë dashur të përballen me një pjesë të publikut vendas, që i ka vërshëllyer. Në fazën e grupeve në Euro 2020, Skocia iu përgjigj thirrjes angleze duke u ulur në gjunjë në “Uembli”, gjë që nuk e ka bërë në ndeshjet e tjera, ndërsa kjo traditë do të vazhdojë. Mediat shkruajnë se Belgjika do të ulet gjithashtu në gjunjë para ndeshjes me Italinë në “Alianc Arena” të Mynihut, ndërsa italianët do të përgjunjen gjithashtu për të respektuar rivalët. Edhe Gjermania po diskuton për ta bërë një gjë të tillë, ndonëse nuk ka ndodhur me lojtarët e Lëvit këtë Europian. Kapiteni Manuel Nojer thuhet se ka mbetur i mahnitur nga sjellja e anglezëve dhe nga ndikimi që ata kanë në shoqëri, ndaj pritet që t’u kërkojë shokëve që të ulen në gjunjë në “Uembli” ditën e nesërme pikërisht në ndeshjen ndaj Anglisë.

Sfidanti.al